Ziadin Sela paralajmëron propozim ligj të ri / Ja përse bëhet fjalë

Në këtë ditë, 116 vjet më parë, arumunët e Ballkanit u njohën si popull i veçantë me të drejta kombëtare në kuadër të perandorisë së atëhershme osmane. Kjo ditë kremtohet nga arumunët si dita e tyre kombëtare në të gjitha vendet e Ballkanit ku ata jetojnë. Gjatë historisë së tyre, arumunët i kanë dhënë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut shumë personalitete të shquara të politikës, artit, sportit dhe shkencës. Fatkeqësisht, Maqedonia e Veriut ka bërë shumë pak në promovimin dhe afirmimin e vlerave kulturore, gjuhësore dhe identitare të arumunëve.

Larmia kulturore e Maqedonisë e Veriut është dhe duhet të jetë një nga forcat kryesore të vendit. Një vend i cili ka për synim strategjik integrimin në BE ku motoja kryesore është “të bashkuar në diversitet” nuk guxon të shtypë identitetet e ndryshme kulturore përmes politikave shoviniste dhe segregacioniste siç ka qenë rasti në tërë historinë e ndërtimit të shtetit. Përkundrazi, shteti duhet të luaj rolin kryesor në ruajtjen e interkulturalizmit, shprehjeve kulturore të të gjitha bashkësive, mbrojtjen dhe promovimin e hapësirave kulturore dhe në shkëmbimet kulturore si mjete të fuqishme për dialog dhe ndryshime pozitive.

Aleanca për Shqiptarët beson se rruga në të cilën duhet të ecë Maqedonia e Veriut është rrugë e bazuar ne ngritjen e respektit ndaj dallimeve kulturore dhe krijimin e mundësive të barabarta për te gjithë. Andaj, Aleanca për Shqiptarët do të paraqesë së shpejti një projektligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i cili do të ketë për qëllim kryesor arritjen e barazisë së plotë dhe eliminimin e diskriminimit strukturor në institucionet buxhetore në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat tjera të jetës publike. Ne angazhohemi gjithashtu për ndarje adekuate të buxhetit për kulturë dhe krijimin e një fondi të veçantë për zhvillimin e kulturës së bashkësive, që do të mundësojë mbrojtjen e identiteteve kulturore dhe kombëtare ndër tjerash përmes investimit strategjik në kujdesin për institucionet kulturore dhe objektet e trashëgimisë kulturore si dhe në përkrahjen e punës se organizatave joqeveritare të kulturës. Një prioritet tjetër në këtë rrafsh duhet të jetë rritja e autonomisë organizative dhe financiare të institucioneve kulturore në krijimin e programeve të tyre që do do të kontribuojë në ruajtjen e vlerave dhe traditave të ndryshme kulturore.

Vetëm kështu Maqedonia e Veriut do të lëviz nga retorika boshe “shoqëri për të gjithë” drejt një vizioni të shtetit modern evropian, një shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe i mundësive të barabarta për të gjithë.

Urime Dita e tyre Kombëtare bashkëqytetarëve tanë arumunë!

Be the first to comment on "Ziadin Sela paralajmëron propozim ligj të ri / Ja përse bëhet fjalë"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*