Videot në ‘Tik Tok’, ILD dorëzon në KLGJ kërkesën për pezullim dhe shkarkim të gjyqtares së Elbasanit

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka dorëzuar në KLGJ kërkesën për pezullim dhe shkarkim nga detyra të magjistrates së Elbasanit Enkeleda Kapedani, e cila këto ditë ka marrë vëmendjen e mediave prej videove të publikuara në rrjetin social Tik Tok.

ILD kërkesën për pezullim dhe shkarkim nga detyra të magjistrates së Elbasanit Enkeleda Kapedani e ka bazuar në nenin 152, pika 1 të ligjit 96/2016 për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, sipas të cilit “Kur ka dyshim të arsyeshëm se vazhdimi i magjistratit në detyrë …. diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryen menjëherë një hetim paraprak për të verifikuar besueshmërinë e burimit të informacionit, sipas nenit 124, të këtij ligji, ose ankesës së paraqitur nga subjektet e përcaktuara në nenin 119 të këtij ligji.

Kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë krijon bindjen se burimi i informacionit ose ankesa është e besueshme, brenda 3 ditëve nga marrja e ankesës ose nga momenti që ka marrë dijeni për shkeljen e pretenduar, i paraqet Këshillit përkatës raport të arsyetuar, bazuar në faktet dhe provat e mbledhura deri në atë moment për fillimin e një procedimi disiplinor dhe kërkesën për pezullimin e magjistratit nga detyra.”

Kolegji i Lartë Zgjedhor duhet të mblidhet brenda 3 ditëve për të vendosur për kërkesën e ILD-së.

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë urdhëroi më 31 maj nisjen e hetimit disiplinor për kryetaren e Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, pas videove të papërshtatshme të bëra në ambientet e zyrës në rrjetin social “Tik Tok”.

Në një prej videove të saj, dëgjohej në sfond kënga e Don Xhonit “Mafia”, ndërsa ajo filmon veten në ambientet e gjykatës.

Në video ajo reklamonte veshjet e markave të shtrenjta dhe makinën e saj tip “Audi”, ndërsa është edhe një moment kur ajo ecën me shpejtësi dhe bën një parakalim të gabuar në rrugë.

Kapedani u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 shtator të vitit 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu.

Ajo ka liruar nga burgu, Viktor Ymerin, i cili konsiderohej nga policia dhe prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, (Gaxhait) i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Elbasani prej kohësh është kthyer në folenë e grupeve kriminale, ndërsa ekzekutimet vijojnë të ndodhin duke mos u dhënë zgjidhje nga institucionet e drejtësisë.

Be the first to comment on "Videot në ‘Tik Tok’, ILD dorëzon në KLGJ kërkesën për pezullim dhe shkarkim të gjyqtares së Elbasanit"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*