Shenja pozitive drejt zgjidhjes së ngërçit mes Maqedonisë dhe Bullgarisë

Sinjale pozitive janë përcjellë pas takimit në Romë nga presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski dhe ai i Bullgarisë Rumen Radev sa i përket zgjidhjes së mosmarrëveshjes që po mban peng hapjen e negociatave për RMV-në.

Mesazhi u përcoll gjatë shënimit të përbashkët të Ditës së Shën Kirilit dhe Metodit në Bazilikën Santa Maria Maxhore në Romë. Radevit siguroi se Bullgaria po punon për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, që mund t’i hapë rrugë zgjidhjes përfundimtare të bllokimit.

“Ne duhet t’i zgjidhim çështjet në dyja vendet, jo në Bruksel, jo në Berlin, jo në Paris. Atje në fund do të dokumentojmë. Nuk ka nevojë për ndërmjetësim. Ne jemi të afërt. Nëse përfshihen shtetet evropiane duhet përkthyes. Pse do të na duhej ndërmjetësues?”, tha presidenti bullgar.

Presidenti maqedonas, Pendarovski, theksoi se dialogu dypalësh për zgjidhjen e kontestit mund të ketë progres vetëm nëse bazohet mbi respekt të ndërsjellë. Ndërsa, sipas tij, aktiviteti i sotëm konfirmon faktin se edhe në Ballkan ka politikanë që mund të flasin me gjuhë evropiane për çështjet e hapura.

“Bashkë me Radevin gjetëm gjuhën e përbashkët për të folur për të ardhmen tonë të përbashkët. Është dinamikë e re në marrëdhëniet tona dypalëshe, që duhet të vazhdojë. Eurokomisionari për Zgjerim ishte në të dyja vendet. Komunikimi me Evropën është në rrjedhë”, tha presidenti Pendarovski.

Presidenti bullgar Radev hodhi poshtë edhe idenë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në komisionin dypalësh të historisë, duke thënë se nuk ka nevojë për ndërmjetësues dhe se zgjidhja varet nga dialogu konstruktiv mbi dokumentet dhe burimet historike.

Ndërkaq, Pendarovski konfirmoi se Sofja nuk i mbylli dyert për propozimin e Portugalisë, i cili mes të tjerash parashikon që BE-ja ta monitorojë zbatimin e marrëveshjes dypalëshe të vitit 2017 dhe zgjidhjen e kontestit përmes Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut u prit në audiencë të veçantë edhe nga Papa Françesku dhe u takua me presidentin italian, Matarela. /EuronewsAlbania

Be the first to comment on "Shenja pozitive drejt zgjidhjes së ngërçit mes Maqedonisë dhe Bullgarisë"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*