Ronaldo tek Manchester City, a mund të ndodhë?

Ditëve të fundit është raportuar në media të ndryshme që Cristiano Ronaldo dëshiron largimin nga Juventus-i. Gazetarët më të besueshëm dhe tabloidet më të mëdha raportuan që Ronaldo dhe agjenti i tij Jorge Mendes, po punojnë për të gjetur një klub të ri. Sot, L’Equipe ka raportuar që ai klub është Manchester City. Cristiano Ronaldo ka kaluar tre sezone te Juventus-i, dhe sapo ka filluar të katërtin, që duket se do të mbarojë menjëherë. Portugezi ka shënuar mbi 100 gola për Juventus-in, por periudha e tij në klubin bardhezi nuk ka shkuar tamam ashtu siç ai e kishte pritur.

Ronaldo luajti nën tre trajnera, duke arritur të fitojë Serie A-në dy herë, dy herë Superkupën e Italisë dhe një herë kupën. Së bashku me skuadrën, ata gjithmonë dështuan që të arrijnë synimin kryesor, triumfin në Champions League. Në këtë mënyrë, Ronaldo po kërkon që vitet e fundit të karrierës së tij, t’i kalojë diku tjetër, e jo te Juventus-i. Sipas L’Equipe, tabloidit të madh francez, Ronaldo po kërkon që të arrijë transferimin te Manchester City. Sipas tyre, Ronaldo ka biseduar me portugezët e City-t. 32 milionë euro në vit, që është kërkesa e Ronaldo-s, nuk është një problem. Ronaldo dhe Mendes janë besimplotë që ky transferim do të përfundojë me sukses, me portugezin që beson se City është destinacioni i duhur për më shumë Topa të Artë. Për të arritur këtë transferim, lëvizja e Aymeric Laporte-s ose Bernardo Silva-s në anën tjetër mund të ndihmojë shumë. Kanë mbetur vetëm edhe tetë ditë deri në fund të merkatos, por me shumë mundësi, Cristiano-n nuk do ta shohim më te Juventus-i. /Albanianpost.com

Be the first to comment on "Ronaldo tek Manchester City, a mund të ndodhë?"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*