Replika e kundër-replika, përplasen Albulena Haxhiu me Xhafer Tahirin për punimet në “Vicianum”

Replika e kundër-replika janë zhvilluar sot në Facebook mes ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në lidhje me punimet që kanë rifilluar në pronën e ish Motel Vicianum.

Së pari ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar nga Komuna e Vushtrrisë të pezullojë punimet në pronën “Vicianium” derisa ka kërkuar nga policia që ta zbatojë vendimin e Ministrisë për ndërprerjen e punimeve në këtë vend.

“Kompania të cilës ia kemi shkëputur kontratën për shkak se e njëjta ishte lidhur me shkelje të rënda ligjore, pavarësisht vendimit të Ministrisë, ka rifilluar punimet në pronën “Vicianium” në Vushtrri”.

“Kryetari i Komunës, z. Xhafer Tahiri nuk duhet të lejojë keqpërdorimin e pronës publike. Vendimi i Ministrisë është mbi çfarëdo vendimi që ka marrë Komuna për t’ju përshtatur interesave të atyre që janë përgjegjës për këtë dëmtim të pronës. Prona duhet të mbrohet”, ka shkruar Haxhiu në Facebook, përcjell Telegrafi.

Kryetari i Vushtrrisë i është përgjigjur akuzave të ministres Haxhiu në lidhje me punimet që po zhvillohen në pronën e ish Motel Vicianum.

Tahiri fajin e ka hedhur te vet ministrja, duke thënë se e njëjta ka refuzuar atë pronë t’iu kthejë komunës.

“Zonja Ministre, Ju vet keni refuzuar të ja ktheni pronën e ish Motel Vicianum Komunës së Vushtrrisë, njësoj si në mandatin tuaj të parë. Prandaj ktheja pronën Komunës së Vushtrrisë që të bëjmë Stacionin e Autobusve.

Tani, mos kërko nga unë, e as mos ushtro presion publik e përmes telefonit, për të zgjedhur problemet juridike të Ministrisë që vet i keni krijuar, problemet tuaja zgjidhni vet”, ka shkruar Tahiri në një reagim për ministren Albulena Haxhiu.

Haxhiu sërish i është kundërpërgjigjur Tahirit duke thënë se sot ai ka refuzuar që të ndërmarrë veprime në mbrojtjen e pronës publike.

“Vendimi i Ministrisë është mbi çfarëdo vendimi që ka marrë Komuna për t’ju përshtatur interesave të atyre që janë përgjegjës për këtë dëmtim të pronës. Prona duhet të mbrohet”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, Policia e Kosovës nuk ka mundur të veprojë sepse Tahiri nuk ka lejuar Inspektoratin të shkojë në vendin e ngjarjes me arsyetimin se “ne i kemi dhënë leje kompanisë”, duke e injoruar kështu vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për shkëputje të kontratës i cili është mbi çfarëdo vendimi tjetër të komunës.

“Shpifjet e Xhafer Tahirit se kinse unë paskam refuzuar që pronën t’ia jap Komunës, shtojnë dyshimet që mosveprimi i tij është i qëllimshëm. Unë nuk kam mundur të ndërmarrë asnjë veprim sepse rasti është duke u trajtuar nga Gjykata. I bëj thirrje edhe njëherë që të mbrojë pronën publike dhe jo interesin privat”, ka shkruar tutje Haxhiu.

Nuk ka shkuar shumë gjatë dhe ka reaguar përsëri Xhafer Tahiri.

Tahiri thotë se Komuna e Vushtrrisë nuk ka kërkesë nga MD për ndalje të punës tek ish Vicianum.

Ai thotë se qasja e Ministres Haxhiu është tendencioze e qëllim keqe.

“Unë jam Kryetar i zgjedhur i Vushtrrisë, më dëshmoni nëse jeni e vërtetë, që keni kërkuar me shkrim nga Komuna që të intervenoj për të ndalë punimet. Më keni bërë një miss call sot kur nuk e kam pasur telefonin afër dhe pa pritur të bisedojmë keni dal menjëherë në Facebook duke më sulmuar”.

“Unë nuk i nënshtrohem presionit tuaj përmes telefonit sepse nuk i takon Komunës të marr anë në një proces gjyqësor mes jush e operatorit privat ekonomik. Ju jeni palë ju zgjidhni problemet tuaja mes jush. Uroj të mos e thirrni në telefon edhe gjyqtarin e të ushtroni ndikim siç keni tentuar të bëni sot me mua”.

Dokumentet e prezantuara nga Tahiri

I pari I Vushtrrisë thotë se Haxhiu ka refuzuar të ia kthejë pronën e ish Motel Vicianum Komunës së Vushtrrisë edhe në mandatin e parë edhe në këtë të dytin.

“Komuna e ka të gatshëm projektin dhe buxhetin për Stacionin e Autobusve, ju kemi pritur juve si Ministri e Drejtësisë që 4 vite, të gjithë Ministrat pa dallim që të na ktheni atë pronë Komunës, të gjithë pa përjashtim edhe ju nuk jeni përgjigjur në kërkesën e Komunës së Vushtrrisë”.

Tahiri thotë se sa ishte me VV në koalicion në Vushtrri, bashkë me ish Nënkryetarin e Komunës që është Kryetar i pikës së VV në Vushtrri, kanë zhvilluar takime e biseda me Drejtorinë e Burgjeve dhe me MD.

“Për shkak të insistimit tonë të përbashkët është arritur që në marrëveshjen në mes të operatorit ekonomik dhe Ministrisë tuaj, të parashihet ndërtimi i Stacionit të Autobusve në Vushtrri në këtë pronë. Mbi bazë të kësaj është lëshuar leje e përkohshme ku parashihet në projekt edhe ndërtimi i Stacionit të Autobusve në Vushtrri në pronën e ish Vicianum. Ne skemi pasur si të dijmë që ju do të prishni një marrëveshje sepse as nuk është hera e parë e as e fundit që Qeveria jep e merr prona me qera”.

Dokumentet e prezantuara nga Tahiri

“Këtë marrëveshje, bashkë me VV sa ishim në koalicion e kemi aprovuar në bord të drejtorëve të Komunës së Vushtrrisë sepse Vushtrria po bëhej me Stacion të Autobusve. Prandaj operatori ekonomik ka marrë leje në Drejtori të Urbanizmit ku pjesë e projektit është edhe ndërtimi i Stacionit të Autobusve në Vushtrri”.

“Pasi u prish koalicioni ynë me VV në Vushtrri, ju e anuluat atë marrëveshje duke lënë sërish Vushtrrinë pa Stacion të Autobusve e duke refuzuar njëkohësisht të ktheni pronën tek Komuna e Vushtrrisë.

Ktheja Komunës Pronën, leji tendencat”, ka shkruar Tahiri në Facebook duke bashkangjitur edhe disa fotografi./Telegrafi/

Be the first to comment on "Replika e kundër-replika, përplasen Albulena Haxhiu me Xhafer Tahirin për punimet në “Vicianum”"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*