Koronavirusi në botë: Rritje e numrit të rasteve të vdekjes dhe infeksioneve

Shkallë të lartë të vdekshmërisë nga pasojat e Kovid-19 konfirmuan Britania e Madhe dhe Rusia.

Ekspertët shëndetësorë paralajmërojnë se njerëzit nuk duhet të çlirohen, edhe pse duket se koronavirusi është mposhtur, ndërsa druajtjet e tyre janë mbështetur me rritjen e numrit të infeksioneve të reja dhe rasteve të vdekjes në disa vende në botë.

Britania e Madhe sot kumtoi se edhe 50 persona kanë vdekur nga Kovid-19, që është numri më i madh i rasteve të vdekjes nga kjo sëmundje në prill.

Derisa Qeveria në Londër po përgatitet për t’i hequr thuajse të gjitha masat më 19 korrik, edhe 36.660 raste të reja të infektimit me koronavirus janë regjistruar sot, tregojnë të dhënat zyrtare.

Numri i rasteve të reja të koronavirusit vazhdon të rritet edhe në Greqi. Janë regjistruar 3.109 raste të reja në 24 orët e kaluara, më së shumti në dy muajt e fundit. Kanë vdekur katër pacientë.

Rusia, gjithashtu, shënoi rekord të ri të zi në numrin e rasteve të vdekjes, pasi 780 persona kanë vdekur në 24 orët e kaluara si rezultat i infeksionit me Kovid-19. Paraprakisht, më së shumti raste të vdekjes janë regjistruar më 10 korrik -752 të vdekur.

Indonezia sot paraqiti numër rekord të rasteve me koronavirus, ndërsa autoritetet paralajmëruan plane për të porositur oksigjen të lëngshëm dhe mijëra respiratorë nga jashtë për mjekimin e pacientëve.

Në këtë shtet janë evidentuar 47.899 raste të reja të të infektuarve, që është rekordi i gjashtë ditor në dhjetë ditët e fundit dhe afro shtatë herë më shumë që para një muaji. Numri i rasteve të vdekjes nga koronavirusi sot është 864, ndërsa gjithsej 68.000 të vdekur nga fillimi i pandemisë.

Be the first to comment on "Koronavirusi në botë: Rritje e numrit të rasteve të vdekjes dhe infeksioneve"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*