Haradinaj e ka pyetur Kurtin edhe në takim se “a është i rekrutuar nga shërbimet serbe?”

Dyshimet e shfaqura në formë pyetje të Ramush Haradinajt për Albin Kurtit rreth potencialiteti që kryeministri aktual i Kosovës të jetë “i rekrutuar nga shërbimet serbe”, kanë qenë temë edhe në takimin e sotëm në mes të Haradinajt e Kurtit.

Në seancën e 20 majit ish-kryeministri i Kosovës e pyeti, në mungesë, Kurtin se “A je rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë kohës që je mbajt në burg, pra a ka diçka Serbia mbi ty që po të mbanë peng sot e kësaj dite?”.

Por, atë ditë Kurti mungoi në sallë dhe Haradinaj mbeti pa përgjigje. Në takimin e sotëm e kishte një tjetër mundësi t’i shuante dyshimet e tij, prandaj është pyetur nga gazetarët, në konferencë për shtyp, se a e shfrytëzoi rastin.

“Është biseduar edhe për këtë, pra për pyetjen time”, ka thënë Haradinaj, i cili e shpjegoi tërthorazi se ka po i vijnë dyshimet.

“Dyshimet lindin kur shohim se kryeministri (Albin Kurti) i ikë faktit se Serbia duhet të çlirohet nga kriminelët e jo Ballkani, jo Kosova”, ka thënë Haradinaj pas takimit.

“Nuk mundesh me fol në term të përgjithshëm e të duket se po barazohet Kosova dhe Serbia. Pra, po. E patëm edhe këtë çështje”.

Por, se si i është përgjigjur Kurti, Haradinaj refuzoi të tregojë, sugjeroi që të pyetet vetë Kurti.

“Kur e takoni e jep ai përgjigjen”, pohoi shkurt.

Dyshimet e Haradinajt për Kurtin u bënë të ditura kur kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës doli në foltore të parlamentit dhe iu drejtua me ty pyetje Kurtit.

“A je i rekrutuar?”, dhe “A është në rrezik Kosova prej teje si i rekrutuar nga shërbimet serbe?”.

Pyetjet vinin pas deklarimeve të Kurtit gjatë vizitës në Bruksel, kur tha se një nga tri shtyllat kryesore mbi të cilat vendet e Ballkanit e Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, duhet të ndjekin në rrugën evropiane, është edhe “eliminimi nga skena politike e kriminelëve”.

Nga opozita në Kosovë, konstatimi i Kurtit u nënkuptua si sulm i tij edhe ndaj ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, disa prej të cilëve, po mbahen në paraburgim në Hagë, të akuzuar për krime lufte.

“Edhe më tej në Ballkan Perëndimor kemi edhe kriminel të luftës dhe kriminel të paqe të cilët dominojnë në institucione dhe parti politike, dhe kjo duhet të marrë fund dhe në këtë mënyrë do të krijohen kushtet edhe për më shumë shpresë, dhe më shumë besim në të ardhmen”, ishte deklarimi i plotë i Kurtit.

Deklarata e Kurtit e kishte mllefosur edhe Shefin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahirin.

Ai gjithashtu kërkoi nga Kurti që të japë sqarime për deklaratat e tij.

“Kush janë kriminelët e luftës në Kosovë që duhet spastruar e larguar nga institucionet e vendit?”, ishte pyetja Tahirit.

“Pse ai nuk e ka guximin që t’i thotë presidentit serb, Aleksandër Vuçiçit, në sy se ai është një bashkëpunëtor dhe është një kriminel lufte dhe është bashkëpunëtor i Sheshelit dhe Millosheviçit, dy figurat më vrastare më famë keqe në Evropën e shekullit 20 dhe 21”, ishte pyetja tjetër retorike e Tahirit për Kurtin.

Kurti në anën tjetër nuk është përgjigjur ende. As atë ditë kur nuk ishte në sallë e as më vonë.

Ishte kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, që i pati kërkuar Haradinajt, të ketë “kujdes me gjuhën”, në momentin kur kryetari i AAK-së hodhi akuzat në formë të pyetjeve.

Be the first to comment on "Haradinaj e ka pyetur Kurtin edhe në takim se “a është i rekrutuar nga shërbimet serbe?”"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*