Deputetët e Sërbisë, njohin pavarësinë e Kosovës, takojnë Albin Kurtin

Gjashtë deputetë të Kuvendit Popullor të Serbisë e njohin pavarësinë e Kosovës dhe e përkrahin Qeverinë Kurti. Kështu iu është konfirmuar kryeministrit, Albin Kurti në takimin që patën sot në zyrën e tij me Sylejman Ugljanin, kryetar i Partisë Aksioni Demokratik i Sanxhakut, Shaip Kamberi, shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak”, deputetët Enis Imamoviq, Nadije Beqiri, Mirsad Hodzhiq, Argjend Bajrami, Selma Kuçeviq.

Sipas një komunikate për media nga zyra e kryeministrit, kryetari i SDA, Sulejman Ugljanin e falënderoi Kurtin për miratimin në Kuvendin e Kosovës të rezolutës që dënon gjenocidin në Srebrenicë. Ai tha se boshnjakët janë shumë mirënjohës që Kuvendi i Kosovës u rreshtua në anën e së drejtës dhe dënoi krimin më të madh në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore, kur 8000 burra e djem boshnjakë u vranë e u masakruan në një ditë nga forcat serbe të sigurisë.

Ugljanin theksoi se deputetët e koalicionit “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak” e njohin pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Ai tha se e përkrahin kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës në angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. “Duke mbrojtur të drejtat e shqiptarëve ju po mbroni edhe të drejtat e boshnjakëve”, citohet të ketë thënë Ugljanin.

Ai e vlerësoi qasjen e kryeministrit për vendosjen e reciprocitetit të të drejtave të pakicave kombëtare në Kosovë dhe në Serbi. Ky është ilaçi i zgjidhjes së problemeve të pakicave në Ballkan, shtoi ai. Tutje thuhet se deputetët e njoftuan Kurtin për funksionimin e organeve ekzekutive të Këshillave nacionalë, ata thanë se Këshilli Nacional Boshnjak në Serbi i ka 35 anëtarë dhe 7 delegatë në bordin ekzekutiv. Ndërsa Asamblea e Këshillit Nacional Shqiptar i ka 15 anëtarë.

Kryeministri Kurti tha se aktualisht gjysma e Sanxhakut ndodhet në NATO e gjysma jo, duke u bazuar në faktin që një pjesë e Sanxhakut ndodhet në Serbi e tjetra në Mal të Zi. Ai ritheksoi se Serbia duhet të distancohet nga e kaluara e përgjakshme dhe politika e Sllobodan Milosheviqit. “Pa u distancuar dhe pa e bërë Serbia një introspeksion për të kaluarën e saj, nuk mund të ecet drejt të ardhmes dhe normalizimit të raporteve me Kosovën”, ka thënë Kurti./21Media

Be the first to comment on "Deputetët e Sërbisë, njohin pavarësinë e Kosovës, takojnë Albin Kurtin"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*