Çfarë propozimi solli Misioni Diplomatik i BE-së? / Shkupi e pranoi, por pse Sofja e kundërshtoi, ja detajet

Propozimi i Silvas dhe Varhejit për Shkupin bazë e mirë, Sofja kërkon garancione për plotësimin e tërësishëm të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Për Shkupin bazë e mirë për mënjanim të pengesave për hapje të negociatave me BE-në me zgjidhje që nuk prek në çështjen e identitetit maqedonas,  janë propozim vendimet të cilat dje i prezantuan shefat e diplomacisë portugeze Augusto Santosh Silva dhe eurokomisari për politikë fqinjësore Oliver Varheji. Sofja, sërish kërkon garancione të qarta për interesat e saj nacionale dhe për zbatim të tërësishëm të Marrëveshjes nga viti 2017.

Silva dhe Varheji dje ishin në mision diplomatik në Shkup dhe Sofje që të bisedojnë me përfaqësuesit zyrtar të të dy vendeve për zgjerimin e BE-së dhe mundësinë për zhbllokim të procesit me qëllim të mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut. Si pjesë e përpjekjeve për zhbllokim të rrugës eurointegruese të vendit, sot në Shkup mbërrijnë edhe shefat e diplomacive të Austrisë, Sllovenisë dhe Çekisë, Aleksander Shalenberg, Anzhe Logar dhe Jakub Kulhanek.

Kryeministri Zoran Zaev për propozim vendimin e Silvas dhe Varhejit tha se “kemi bazë të mirë për mënjanim të pengesave për hapje të negociatave me BE-në me zgjidhje që nuk prek në çështjen e identitetit maqedonas dhe për të cilën jemi të bindur se është e pranueshme edhe për pozicionet vendimtare të Bullgarisë”.

Silva dhe Varheji dje në Klubin e deputetëve në Shkup, para kryeministrit Zaev, zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane Nikolla Dimitrov dhe shefit të Diplomacisë Bujar Osmani, i prezantuan propozim-vendimet për tejkalim të problemit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, të cilat kanë për qëllim ta zhbllokojnë hapjen e negociatave të vendit me BE-në me mbajtje të konferencës së parë ndërqeveritare.

“Ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë Silva dhe eurokomisari Varheji sollën propozim vendim qëllimi i së cilës është tejkalimi i problemit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë. Unë, me ekipin në Qeveri të obliguar për këto negociata, para se gjithash me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane Nikolla Dimitrov dhe me ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani, seriozisht dhe me përgjegjësi do t’i shqyrtojmë të gjitha detajet nga vendimi i propozuar. E rëndësishme është se në këtë moment qartë dhe me përgjegjësi mund të themi se propozimi është bazë e mirë për arritje të zgjidhjes së problemit,  zgjidhje me të cilën do të mënjanohen të gjitha pengesat dhe do të hapen negociatat përmes mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut. Për ne, veçanërisht e rëndësishme është që me këtë propozim-vendim asesi nuk preket apo depërtohet në çështjet tona të indetitetit maqedonas, me të cilën pozicioni ynë vendimtar është i kënaqur, ndërsa fuqishëm jemi të bindur se propozimi është bazë e mirë edhe për pozicionet vendimtare të Bullgarisë”, deklaroi Zaev pas mbledhjes me Silvan dhe Varhejin.

Ai konsideron se është momenti i vërtetë të vazhdohet një hap përpara, dhe një orë më parë të arrihet marrëveshje në interes të së ardhmes së përbashkët evropiane, ndërsa atë siç tha, “e presin dhe e kërkojnë qytetarët e të dy vendeve, e presin evropianët, atë edhe ia kemi borxh vetes, atë ia kemi borxh popullit”.

Zaev i falënderoi Silvan dhe Varhejin për angazhimin t’u ndihmojnë Shkupit dhe Sofjes që të zgjidhet problemi. “E kemi vullnetin e mirë, jemi të kujdesshëm dhe kemi mirëkuptim për fqinjët tanë, i kemi pozicionet tona të qarta të identitetit maqedonas për të cilat nuk negociojmë, ndërsa për të cilat Brukseli tregoi mirëkuptim, dhe shpresoj se me qasjen e njëjtë të tillë do të takohemi me Sofjen për të mirë e të dy popujve dhe për të ardhmen e përbashkët të të dy vendeve si fqinjë dhe miq, si anëtare të NATO-s dhe si partnerë të ardhshëm dhe anëtare të BE-së”, theksoi Zaev.

Në takimin e presidentit Stevo Pendarovski me Silvan dhe Varhejin, është potencuar se është nga vlera e jashtëzakonshme mbajtja e konferencës ndërqeveritare dhe fillimi formal i negociatave inkuadruese për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE. Në takim u bisedua për mundësitë për përparim të Maqedonisë së Veriut në eurointegrime, në prag të mbajtjes së Këshillit të Bashkimit Evropian muajin e ardhshëm. Pendarovski dhe Silva këmbyen informata dhe mendime për çështjet bilateral lidhur me marrëdhëniet e mira fqinjësore, në kontekst të tejkalimit të problemeve me Bullgarinë, kumtoi kabineti i shefit të shtetit.

Shefi i diplomacisë portugeze, sërish, tha se qëllimi është Shkupi dhe Tirana t’i fillojnë negociatat gjatë kryesimit portugez me BE-në. Sipas tij, zgjerimi si proces është me të vërtetë i rëndësishëm jo vetëm për vendet-kandidate, por dhe për tërë Evropën sepse pikërisht kjo do të na mundësojë rajon të sigurt, stabil dhe prosperues.

“Në rrjedhë është, siç e dini, kryesimi portugez me BE-në, dhe një nga proceset më të rëndësishme i cili është prioritar për ne, gjithsesi është zgjerimi. Ajo me të vërtetë është çështje thelbësore për ne dhe për momentin kemi dy procese rrjedhëse dhe jemi në pritje për t’i mbajtur konferencat e para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Silva.

Silva theksoi se pret avancim të caktuar dhe, siç tha, shpresojmë se do të kemi sukses ta përmirësojmë kornizën negociuese sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

“Gjithsesi qëllimi ynë gjatë kryesimit tonë me Këshillin e BE-së është të marrim pajtueshmëri nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që ta fillojmë kornizën negociuese me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me Shqipërinë, dhe ta mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare me të dy vendet”, tha ai, duke shtuar se për ta është me rëndësi të madhe të mbajnë konsultime politike edhe në Shkup me autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

Presidenti bullgar Rumen Radev, gjatë takimit me eurokomisarin për zgjerim Oliver Varheji dhe shefin e diplomacisë portugeze Augusto Santosh Silva, deklaroi se zgjerimi i BE-së duhet të bazohet në rezultatet reale nga marrëdhëniet e mira fqinjësore. Radev ka theksuar se për Bullgarinë perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimi i BE-së janë prioritet i padiskutueshëm, duke shtuar se për arritje të rezultateve efikase për vendet-kandidate për anëtarësim në BE, më i rëndësishëm është dialogu direkt dhe i hapur.

“Për atë ne duam të shikojmë jo vetëm deklarata, por garancione të qarta për sigurinë tonë nacionale dhe interesat tona nacionale. Bullgaria është anëtare përgjegjëse e BE-së dhe do të vazhdojë t’i ndihmojë kandidatet për anëtarësim në Union t’i plotësojnë kriteret e Kopenhagës dhe t’i konfirmojnë parimet e fqinjësisë së mirë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, të cilat janë në qendrën e bashkëpunimit evropian”, ka thënë Radev gjatë bisedave me Silvan dhe Varhejin. 

Shefi i Diplomacisë bullgare Stoev, pas takimeve me përfaqësuesit e BE-së tha se Bullgaria është e hapur për dialog të tërësishëm aktiv dhe të hapur, me Republikën e Mqqedonisë së Veriut. Ai shfaqi gatishmëri të takohet me homologun e tij të Maqedonisë Bujar Osmani, me qëllim që të gisedojë për nismat që mund t’i ndërmarë Qeveria e tanishme teknike bullgare. Ai deklaroi se shpreson që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do të punojnë së bashku që të gjendet zgjidhje e qëndrueshme dhe e përhershme për çështjet e hapura në marrëdhëniet e ndërsjella.

Shefi i Diplomacisë Osmani sot në Shkup do të jetë nikoqir i homologëve të tij nga Austria, Sllovenia dhe Çekia. Shefi i Diplomacisë austriake Shalenberg dje deklaroi se gjatë fundjavës do t’i vizitojë Shkupin dhe Tiranën, në përpjekje t’i vazhdojë punët e Qeverisë austriake ta përshpejtojë procesin e zgjerimit të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, në Ballkanin Perëndimor udhëhiqet luftë për model të jetës dhe paralajmëroi që nëse BE-ja përfundimisht nuk e plotëson premtimin, atëherë vakumin do ta plotësojnë shtetet tjera.

Be the first to comment on "Çfarë propozimi solli Misioni Diplomatik i BE-së? / Shkupi e pranoi, por pse Sofja e kundërshtoi, ja detajet"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*