Çështja e Liqenit të Ujmanit, Albin Kurti jep deklaratën e fortë

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se qëndrojnë prapa çdo deklarate për liqenin e Ujmanit dhe se dialogu mes Kosovës e Serbisë do të ketë një kapitull të ri. Kurti edhe gjatë pasdites ka bërë të ditur se nuk ka arritur që të lexojë raportin e fizibilitetit, të nxjerrë nga Departamenti Amerikan për Energji. Veçse këtë shtoi se duhet ta bëjnë fillimisht ekspertët. Shefi i ekzekutivit pas promovimit të katalogut të ekspozitës arkeologjike ka theksuar se negociatat me Serbinë janë përmbyllur me shpalljen e pavarësisë. Kështu është përgjigjur ai derisa është pyetur nëse janë të gatshëm që të negociojnë për liqenin e Ujmanit, ashtu siç është rekomanduar në raportin e nxjerrë të mërkurën.

“Për besë gjatë ditës nuk kam mbërri ta lexoj, porsa ta lexojnë ekspertët tanë, profesionistët”, u shpreh ai.

Më tej, Kurti ka shtuar se janë prapa qëndrimeve qe kanë pasur për liqenin e Ujmanit, duke theksuar se dialogu mes Kosovës e Serbisë është kapitull i ri.

“Negociatat kanë përfunduar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe opinionin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Dialogu që zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë kapitull të ri. E kemi pasur deri më tash një takim, sipas të gjitha gjasave do të kemi edhe një takim tjetër. Mirëpo ne do të dakordohemi një herë për agjendën në mënyrë që ta hapim kapitullin e ri të dialogut. Ndërkaq sa i përket liqenit të Ujmanit ne qëndrojmë prapa të gjitha qëndrimeve tona që i kemi thënë deri më tani. Ndërkaq raporti më i ri që ka dalë, para se të flasim ne, duhet ta lexojnë dhe studiojnë ekspertët tanë profesionistë”, ka deklaruar ai. Kurti është pyetur edhe nëse do te diskutohet për ndarjen dhe shfrytëzimin e përbashkët të liqenit të Ujmanit.

“Nuk besoj që duhet t’i bëjmë tre hapa përnjëherë. Ndonëse një gjë e tillë nuk është e mundur. Dialogu do të ketë kapitull të ri, duhet të dakordohemi për agjendën, tre hapa përnjëherë si bëjmë dot”, ka përfunduar ai.

Shtetet e Bashkuara u kanë dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Në një postim në Twitter të Ambasadës amerikane në Kosovë thuhet se raporti i Departamentit amerikan të Energjisë – Laboratori Kombëtar “Veriperëndimor i Paqësorit”, shënon përmbushjen e një nga angazhimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit të arritur më 4 shtator 2020.

Raporti propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Ujmani është një liqe artificial i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës.

“Në propozojmë që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve duke modeluar nevojat institucionale për të mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër”, thuhet në dokument.

Aty theksohet se sistemi i Ujmanit duket se luan një rol të njëjtë të digës në lumin Kolumbia në Paqësorin Veri-Perëndimor në Shtetet e Bashkuara sa i takon kontributit të tij për shërbimet e ruajtjes për furnizimin me ujë sezonal, energjisë dhe në shërbimet e kontrollit të përmbytjeve. Departamenti Amerikan për Energji ka dhënë katër rekomandime për shfrytëzimin e Ujmanit nga palët e përfshira. Të njëjtat parashohin përmirësimin e infrastrukturës së liqenit, formimin e një komisioni lumor, implementimin e një sistemi mbikëqyrës dhe përmirësimin e parashikimit të furnizimit me ujë. /Telegrafi/

Be the first to comment on "Çështja e Liqenit të Ujmanit, Albin Kurti jep deklaratën e fortë"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*