Bullgaria e hodhi poshtë, Maqedonia e pranoi! Propozimi i Silvës dhe Varhejit mbeti pezull

Propozim zgjidhjet e shefit të diplomacisë portugeze, Augusto Santosh Sillva dhe eurokomisarit Oliver Varheji janë bazë e mirë për mënjanimin e pengesave për hapjen e negociatave me zgjidhje e cila nuk i prek çështjet e identitetit, tha kryeministri Zaev pas takimit me dy përfaqësuesit e lartë të BE-së.

“Për ne, është e rëndësishme që me këtë propozim zgjidhje nuk preken çështjet e identitetit maqedonas, ndërsa pozita jonë thelbësore është në nivel të kënaqshëm, dhe ne jemi të bindur se propozimi është bazë e mirë për pozitat thelbësore të Bullgarisë”, tha Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Sillva dhe Varheji zhvilluan takime edhe me presidentin Stevo Pendarovski ndërsa në lidhje me fjalimin e Zaevit, shefi i diplomacisë portugeze me deklaratë diplomatike në të cilën nuk tha asgjë se çfarë do të ndodhë tani kur Bullgaria e refuzoi propozimin të cilin e sollën së bashku me Varhejin për tejkalimin e kontestit mes Sofjes dhe Shkupit.

“Patjetër qëllimi ynë gjatë kryesisë sonë me Këshillin e BE-së është që të marrim pëlqim nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, për ta filluar kornizën e negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë dhe ta mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare”, u shpreh Augusto Santosh Sillva – Ministër i Jashtëm i Portugalisë.

Por, tentimi i Portugalisë përmes propozimit që e dorëzuan Santosh Sillva dhe Varhei ishte vlerësuar si i papranueshëm. Siç informojnë mediat bullgare, në propozimin në fjalë parashihet që Maqedonia të pajtohet se gjuha maqedonase është e kodifikuar që në vitin 1945. Për Bullgarinë kjo gjë është e kontestueshme, pasi nuk theksohet prejardhja e gjuhës dhe identiteti maqedonas, të cilët, sipas kreut shtetëror të Bullgarisë, janë bullgarë. Vërejtje ka edhe në pjesën e propozimit ku ceket se Maqedonia duhet të përpilojë udhëzim për plotësim të detyrave, kurse Bullgaria nuk do të ketë mundësi të reagojë në qoftë se, siç thuhet, Maqedonia sërish nuk i plotëson obligimet e saj. Në Sofje komentojnë se propozimet janë të njëjta për të cilat vitin e kaluar Maqedonia dhe Bullgaria zhvilluan negociata në Berlin dhe për të cilat nuk gjetën gjuhë të përbashkët. Prandaj, konsiderojnë se kjo do të thotë kthim i procesit. Shefi i diplomacisë bullgare në kuadër të Qeverisë teknike, Svetllan Stoev, në konferencën e përbashkët për shtyp me Sillva dhe Varhei, tha se nuk ka ndryshim të qëndrimit të Bullgarisë sa i takon Maqedonisë dhe se janë të gatshëm ta vazhdojë dialogun në frymë të atmosferës së mirë dhe konstruktivitetit. Ai paralajmëroi se së shpejti mund të mbajë takim me ministrin e jashtëm të Maqedonisë, Bujar Osmani.

“Dua të theksoj se mbi këtë temë ka vazhdimësi të plotë dhe nuk mund të pritet ndryshim të pozitës nacionale të Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut”, tha U.D ministër i Jashtëm i Bullgarisë, Svetllan Stoev.

Eurokomisionari Oliver Varheji, theksoi se është kyçe të dëgjohen qëndrimet e Bullgarisë që të mund të përcaktohen hapat e ardhshëm rreth zgjerimit të Unionit.

“Bullgaria është nga rajoni dhe çdo herë ia vlen për të ardhur në Sofje dhe të merren informacione, ide dhe biseda, politike dhe teknike, që të mund të shohim se si të lëvizin punët”, shtoi eurokomisari, Oliver Varheji.

Propozimet e Presidencës portugeze janë edhe një tentativë tjetër për ta tejkaluar bllokadën e Bullgarisë me qëllim që të pranohet korniza negociuese dhe të hapen negociata me BE-në në Samitin e Unionit më 22 qershor.

Be the first to comment on "Bullgaria e hodhi poshtë, Maqedonia e pranoi! Propozimi i Silvës dhe Varhejit mbeti pezull"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*