Ata na “mbajnë gjallë”, t’i presim siç na ka hije!

Radhë të gjata mërgimtarësh nëpër pikat kufitare

Sezoni veror ka filluar. Pushimet poashtu. Si çdo verë, janë mërgimtarët ata që mbushin shtëpitë, lagjet, fshatrat e qytetet tona. Vëllezërit e motrat tona po vijnë për tu çmallur me të afërmit dhe me vendlindjen e tyre. Një pjesë e madhe e bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë kryesisht në vendet europiane, rrugëtimin për në shtëpi e bëjnë me automjetet personale. Kjo paraqet sfidë më vete. Rrugë e gjatë, lodhje e shumë trafik.

Megjithatë, të gjitha këto i mund dëshira e madhe për tu kthyer dhe dashuria e madhe për vendlindjen e atyre që të detyruar, për jetë më të mirë, janë larguar nga familja, shoqëria dhe vendi që i rriti. Ata vijnë çdo vit. Vijnë e bëjnë dasma. Ndërtojnë shtëpi. Hapin biznese. Harxhojnë paratë e fituara me djersë dhe sakrificë në vende të huaja. Gjallërojnë ekonominë tonë. Mbushin arkat e shteteve tona. Ata janë arsyeja pse ne mbijetojmë.

Mendoni pak një gjë. Me paratë që ata harxhojnë në ato dy apo tre javë në vit tek ne, ndoshta edhe me shumë më pak se aq, mund të zgjedhin të kalojnë një pushim të paharruar në ndonjë nga destinacionet më të bukura turistike botërore. Oferta ka plotë. Çmimet janë shumë të arsyeshme.

Por ç’bëjnë mërgimtarët tanë?

Zgjedhin gjënë e parë që u rrotullohet në mendje. Të vijnë në vendlindje e të flakin tej idetë për pushime në plazhet më të bukura të botës. Vijnë e durojnë trafikun dhe kaosin nëpër qytetet tona, durojnë zhurmën, ndjejnë erën e keqe të deponive që kanë mbirë kudo.

Prandaj, t’i presim e t’i përcjellim ashtu, siç ne dhe atyre bashkë, na ka hije.

Vëllezër, Ju lutemi kini kujdes. Jepini makinës më shtruar. Paçit rrugë të mbarë e ardhshit mirë me shëndet!

Redaksia e in7.tv

Be the first to comment on "Ata na “mbajnë gjallë”, t’i presim siç na ka hije!"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*