Abdixhiku-Kurtit: Pozicionin e LDK-së përdore si platformë për dialogun

Platformën për dialogun me Serbinë, të cilën kryeministri Albin Kurti, nuk e ka hartuar deri më tani, ia ka ofruar Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, këtë të mërkurë, i ka dorëzuar Kurtit një dokument me parime, e të cilat, sipas tij, duhet t’i ketë parasysh kur të ulet në tavolinë me Serbinë.

“Ky dokument përmban parimet që Kosova duhet t’i mbrojë, e që janë diskutimi mbi bazën e vendimit të GJND-së, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e karakterizuar unitar të Kosovës dhe rendit kushtetues. Gjithashtu, dhe rezultati final që do të duhej të jetë njohja e ndërsjellë dhe anëtarësimi në BE dhe NATO”, tha Abdixhiku.

Përveç ofertës së prezantuar, kryetari i LDK-së, ka thënë se Kurtit i ka rikonfirmuar se në Qeveri kanë lënë të gjithë dokumentacionin dhe se kanë kërkuar nga ai që në Kuvend të prezantojë pozicionin e Qeverisë karshi dialogut.

Abdixhiku i është bashkuar kërkesës së AAK-së, për përfshirjen e SHBA-së në këtë proces.

“Pjesëmarrja e SHBA- së në dialog është e pakontestueshme, pra pa pjesëmarrje të SHBA-së në dialog, as që duhet të ketë dialog. Kosova e vlerëson rolin e BE-së, por domosdoshmërisht e kërkon përfshirjen e SHBA-së në dialog. Kjo është e padiskutueshme”, tha ai.

Sikurse edhe një ditë më parë, pas takimit me kreun e AAK-së, detajet për takimin, Qeveria e Kosovës i ka dhënë nëpërmjet një komunikate për media.

“Z. Abdixhiku ia shprehu kryeministrit Kurti pikëpamjet e tij dhe të subjektit që udhëheqë lidhur me dialogun, të cilat ia dorëzoi edhe në formë të shkruar. Ai theksoi se LDK-ja do të përkrahë procesin e dialogut nëse do të respektohen parimet e prezantuara në dokumentin e dorëzuar dhe rezultat përfundimtar do ta ketë njohjen e ndërsjellë. Kryeministri Kurti dhe kryetari i LDK-së u pajtuan që diskutimi rreth dialogut të vazhdojë edhe në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri e vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit pozitë-opozitë”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Qeverisë.

Përveç LDK-së dhe AAK-së, kryeministri Albin Kurti ka ftuar në takim edhe Partinë Demokratike të Kosovës. Por, një ftesë e tillë është refuzuar nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj partie.

Be the first to comment on "Abdixhiku-Kurtit: Pozicionin e LDK-së përdore si platformë për dialogun"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*