65 ndërtime pa leje në zonën e mbrojtur të Strugës, Merko mohon një gjë të tillë

Në zonën e mbrojtur 50 metra larg bregut të liqenit të Ohrit në Strugë ka gjithsej 65 objekte. Këtë për Alsat e konfirmoi sekretari i komunës, Risto Taleski. Më herët, kryetari Ramiz Merko, në disa raste deklaroi se nuk ka objekte të paligjshme në zonën e mbrojtur në Strugë.

“Numri i përgjithshëm i kërkesave të paraqitura për legalizim në komunën e Strugës ishte 10,639. Të refuzuara si jo të plota pa elaborat janë 4,470.
3127 raste janë zgjidhur. 3,038 janë në procedurë. Prej 3,038, 65 janë objekte 50 metra larg liqenit. Gjysma e tyre u refuzuan, dhe pjesa tjetër nuk erdhi për shqyrtim”, tha Risto Talevski, Sekretar në Komunën e Strugës.

Në këtë brez të mbrojtur, sipas Talevskit, bëhet fjalë për objekte dhe hapësira më të ndryshme të klubeve sportive. Për gjendjen e këtillë reaguan edhe nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Ata i bënë thirrje Ministrit të Transportit Blagoj Boçvarski t’i japë fund krimit dhe kaosit urban në Strugë.

“E kujtojmë Ministrin që ministria që ai drejton dhe qeveria ku ai bën pjesë në shumë raste madje u kanë hequr padrejtësisht kompetencat e kryetarëve të komunave të udhëhequra nga opozita shqiptare. E njëjta gjë tani me të drejtë mund të bëhet me Strugën”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Në të njëjtën kohë, në Ohër po në këtë perimetër, 50 metra nga liqeni, ka mbi 400 objekte.

“Nga rastet për të cilat procedura e legalizimit është në vijim, 414 janë regjistruar në zonën e mbrojtur prej 50 metrash në Liqenin e Ohrit, dhe 2,321 brenda kufijve të Parkut Nacional Galiçica”, njoftojnë nga Komuna e Ohrit.

Deri para dy viteve në Ohër ishin dorëzuar mbi 15 mijë kërkesa për legalizimin e ndërtesave të paligjshme. Rreth 11 mijë prej tyre ishin për shtëpi familjare, 420 për ndërtesa dhe 28 për hotele./ALSAT

Miki Trajkovski

Be the first to comment on "65 ndërtime pa leje në zonën e mbrojtur të Strugës, Merko mohon një gjë të tillë"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*